Nine Marks of a Healthy Church/Biblical Church Leadership/sq

From Gospel Translations

Revision as of 03:41, 30 July 2008 by Kathyyee (Talk | contribs)
Jump to:navigation, search

Related resources
More By
Author Index
More About
Topic Index
About this resource

©

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).

By About

 


Posti biblik i plakut të kishës

Çfarë lloj udhëheqjeje ka një kishë e shëndetshme? Një bashkësi, të përkushtuar ndaj Krishtit dhe me dhunti për të shërbyer? Po. Dhjakë që janë model i shërbesës në çështjet e kishës? Po. Një pastor që është besnik në predikimin e fjalës së Perëndisë? Po. Por, biblikisht, ka edhe diçka tjetër që është pjesë e udhëheqjes së një kishe të shëndetshme: pleqtë e kishës.

Si pastor, unë lutem që Krishti do të vendosë brenda bashkësisë sonë njerëz, dhuntitë shpirtërore dhe përkujdesjet pastorale të të cilëve tregojnë se Perëndia i ka thirrur ata për të qenë pleq kishe ose mbikëqyrës (fjalët përdoren në mënyrë të këmbyeshme në Bibël; p.sh., Veprat 20). Unë lutem që Perëndia do t’i rrisë dhe t’u japë dhunti dishepujve të tillë për punën e mbikëqyrjes pastorale të bashkësisë sonë dhe të mësimeve të saj. Nëse bëhet e qartë se Perëndia i ka dhënë dhunti të tilla një njeriu të caktuar në kishë, dhe nëse, pas lutjes, kisha i njeh dhuntitë e tij, atëherë ai duhet caktuar si plak kishe.

Histori e shkurtër e pleqve të kishës

Të gjitha kishat kanë pasur individë që kanë kryer funksionet e pleqve të kishës, edhe nëse i kanë quajtur ata me një emër tjetër. Dy emrat e Dhiatës së Re për këtë post ishin episkopos (mbikëqyrës) dhe presbuteros (plak kishe). Kur ungjillorët dëgjojnë fjalën “plak kishe”, shumë mendojnë menjëherë se flitet për “Presbiterianët”, megjithatë Kongregacionalistët e parë (kongregacion = bashkësi), në shekullin e gjashtëmbëdhjetë mësonin se posti i pleqve të kishës ka ekzistuar që në kishën e Dhiatës së Re. Pleqtë e kishës gjendeshin në kishat Baptiste të Amerikës gjatë gjithë shekullit të 18të dhe të shekullit të 19të. Në fakt, presidenti i parë i Konventës Baptiste Jugore, V. B. Xhonson, ka shkruar një traktat, në të cilin ai bën thirrje që praktika e pasjes së një shumësie pleqsh kishe të njihet si biblike dhe të ndiqet në më tepër kisha baptiste. Thirrja e Xhonsonit kaloi pa u dëgjuar. Qoftë nga mosvëmendja ndaj Shkrimeve apo nga presionet e jetës në front, ku kishat po shtoheshin në një masë të madhe, praktika e kultivimit të një udhëheqjeje të tillë të ndërthurur filloi të binte. Por botimet e gazetave baptiste mbi ringjalljen e kësaj mënyre biblike drejtimi vazhduan. Në vitet e para të shekullit të njëzetë, botimet baptiste u referoheshin drejtuesve me titullin e “plakut” .

Bashkësia është autoriteti përfundimtar

Baptistët dhe presbiterianët kanë pasur dy ndryshime bazë në të kuptuarit e pleqve të kishës. E para dhe kryesorja, baptistët janë kongregacionalistë. Pra, ata e kuptojnë se dallimi përfundimtar për çështjet e ndryshme nuk u mbetet pleqve të kishës në një bashkësi (ose më tej, si në modelin presbiterian), por bashkësisë në tërësi. Prandaj, baptistët theksojnë natyrën konsensuale të veprimit kishtar. Pra, në një kishë baptiste, pleqtë dhe gjithë këshillat dhe komitetet e tjera veprojnë në atë që është përfundimisht një kapacitet këshillues për gjithë bashkësinë.

Një koment tjetër duhet bërë për autoritetin e bashkësisë së mbledhur. Asgjë tjetër përveç bashkësisë lokale, të mbledhur, nuk është gjykata përfundimtare e apelit nën Krishtin. Në mënyrë të përsëritur në Dhiatën e Re gjejmë dëshmi për atë që duket se është një formë e hershme e kongregacionalizmit. Te Mateu 18, kur Jezusi po mësonte dishepujt e Tij se si të vepronin me vëllanë mëkatar, gjykata përfundimtare nuk janë pleqtë, as ndonjë peshkop apo papë, as ndonjë këshill apo kuvend. Gjykata përfundimtare është bashkësia. Te Veprat 6, apostujt ia lanë në dorë vendimin për dhjakët bashkësisë.

Edhe në letrat e Palit gjejmë dëshmi për këtë marrje të përgjegjësisë përfundimtare të bashkësisë. Te 1Korintasve 5, Pali nuk qorton pastorin, as pleqtë e kishës apo dhjakët, por bashkësinë për tolerimin e mëkatit. Te 2Korintasve 2, Pali iu referua asaj që shumica e tyre kishin bërë në disiplinimin e një anëtari që kishte gabuar. Te Galatasve, Pali u bën thirrje bashkësive që të gjykojnë mësimin që kishin qenë duke dëgjuar. Te 2Timoteut 4, Pali qorton jo vetëm mësuesit e rremë, por edhe ata që i paguanin këta mësues të rremë për t’u mësuar ato gjëra që veshët e tyre dëshironin t’i dëgjonin. Pleqtë e kishës udhëheqin, por ata e bëjnë këtë gjë biblikisht dhe domosdoshmërisht brenda caqeve të njohura nga bashkësia.

Të gjithë pleqtë e kishës janë “mësues”

Mosmarrëveshja e dytë ka të bëjë me rolin dhe përgjegjësinë e pleqve të kishës. Presbiterianët priren të theksojnë deklaratën e Palit drejtuar Timoteut te 1Timoteut 5:17: “Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim”. Fraza e fundit, kanë argumentuar disa, sugjeron qartë se do të kishte pleq kishe, puna kryesore e të cilëve nuk ishte predikimi apo mësimi, por qeverisja dhe drejtimi. Kjo është origjina e dallimit mes “pleqve qeverisës” (pleqve të thjeshtë) dhe “pleqve mësues” (shërbyes) te Presbiterianët.

Por fjala “sidomos” është një përkthim i dyshimtë i fjalës malista, që në këtë kontekst përkthehet më mirë si “sigurisht” ose “veçanërisht”. Më sipër, te 1Timoteut 4:10 lexojmë: “Kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos (malista) i besimtarëve”. Pali thotë se, po aq njerëz që do të shpëtohen pa besuar, aq njerëz do të drejtojnë çështjet e kishës pa predikuar dhe dhënë mësim: me fjalë të tjera, asnjë.

Baptistët kanë pasur tendencën për të theksuar këmbyeshmërinë e termave “plak kishe”, “mbikëqyrës” dhe “pastor” në Dhiatën e Re, dhe kanë vënë në dukje se te 1Timoteut 3:2, Pali qartësisht po i thotë atij se pleqtë duhet të jenë “të zotë të mësojnë të tjerët”. Dhe ai i shkruan Titit se një plak kishe duhet të “mbajë fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe të bindë ata që kundërshtojnë” (Titit 1:9). Prandaj baptistët shpesh e kanë mohuar përshtatshmërinë e të pasurit pleq kishe që nuk janë të zotë t’u mësojnë Shkrimet të tjerëve.

Shumësia e pleqve të kishës

Megjithatë, gjëja për të cilën baptistët dhe presbiterianët e shekullit të tetëmbëdhjetë binin shpesh dakord ishte se duhet të kishte një shumësi pleqsh në çdo kishë lokale. Megjithëse nuk sugjerohet asnjëherë një numër specifik i pleqve për një bashkësi të veçantë, Dhiata e Re qartësisht u referohet “pleqve të kishës” në shumës në kishat lokale (p.sh., Veprat 14:23; 16:4; 20:17; 21:18; Titit 1:5; Jakobi 5:14). Eksperienca ime më konfirmon dobishmërinë e ndjekjes së praktikës së Dhiatës së Re për të pasur, atje ku është e mundur, më tepër pleq kishe në një kishë lokale, sesa thjesht një pastor të vetmuar, dhe ata të jenë njerëz që i kanë rrënjët në bashkësi. Kjo praktikë është e pazakontë mes kishave baptiste sot, por ekziston një tendencë në rritje në këtë drejtim – dhe kjo për një arsye të mirë. Kjo ishte e nevojshme në kishat e Dhiatës së Re dhe është e nevojshme edhe sot.

Roli i veçantë i pastorit

Kjo nuk do të thotë se pastori nuk ka asnjë rol të veçantë. Ka shumë referenca në Dhiatën e Re për predikimin dhe predikuesit, që nuk mund të gjejnë zbatim për të gjithë pleqtë e kishës në bashkësi. Kështu në Korint, Pali iu kushtua ekskluzivisht predikimit në një mënyrë që pleqtë e thjeshtë të një kishe nuk munden (Veprat 18:5; krs. me 1Korintasve 9:14; 1Timoteut 4:13; 5:17). Predikuesit duket se zhvendoseshin në një zonë të caktuar qëllimisht për të predikuar (Romakëve 10:14-15), ndërsa pleqtë e kishës duket se ishin tashmë pjesë e bashkësisë (Titit 1:5). (Për më tepër për këtë dallim shihni te libri “Një shfaqje e lavdisë së Perëndisë” (A Display of God’s Glory [CCR: 2001]).

Dobitë e shumësisë së pleqve të kishës

Megjithatë, duhet të kujtojmë se predikuesi, ose pastori, është gjithashtu një nga pleqtë e bashkësisë së tij. Kjo do të thotë se vendimet që kanë lidhje me kishën, por që nuk kërkojnë vëmendjen e të gjithë anëtarëve, duhet t’i lihen jo vetëm pastorit, por edhe pleqve së bashku. Ndonëse kjo nganjëherë është e komplikuar, ajo sjell shumë dobi, sepse plotëson dhuntitë e pastorit, duke mbuluar disa nga defektet e tij, duke plotësuar gjykimin e tij dhe duke krijuar mbështetje në bashkësi për vendimet, dhe udhëheqësit janë më pak të ekspozuar ndaj kritikave të padrejta. Kjo, gjithashtu, e bën udhëheqjen më të rrënjosur, më të qëndrueshme dhe lejon që të ketë një vazhdimësi më të pjekur. Kjo e inkurajon kishën që të marrë më tepër përgjegjësi për jetën e saj shpirtërore dhe e ndihmon kishën, që të jetë më pak e varur nga punonjësit e vet.

Ngatërrimi i pleqve të kishës me dhjakët

Shumë kisha moderne kanë pasur prirjen për t’i ngatërruar pleqtë e kishës me personelin e kishës ose me dhjakët. Dhjakët, gjithashtu, zënë një post që është nga Dhiata e Re dhe që bazohet te Veprat 6. Ndërkohë që çdo dallim absolut mes dy posteve është i vështirë, detyrat e dhjakëve janë detajet praktike të jetës së kishës: administrimi, mirëmbajtja dhe kujdesi për anëtarët e kishës që kanë nevoja fizike. Në shumë kisha sot, dhjakët kanë marrë njëfarë roli shpirtëror; por një ngarkesë e madhe thjesht i është lënë pastorit. Do të ishte në dobi të kishës që të bënte përsëri dallimin e rolit të plakut të kishës nga ai i dhjakut.

Pleqësia e kishës është posti biblik që unë mbaj si pastor: unë jam plaku kryesor predikues. Por të gjithë pleqtë duhet të punojnë së bashku për ndërtimin e kishës, duke u takuar rregullisht për t’u lutur dhe për të diskutuar, ose për të bërë rekomandime për dhjakët ose për kishën. Sigurisht, kjo është një ide biblike që ka vlerë praktike. Nëse zbatohet në kishat tona, ajo mund t’i ndihmojë shumë pastorët, duke hequr ngarkesën nga supet e tyre dhe madje edhe tiranitë e tyre të vogla nga kisha. Në fakt, praktika e njohjes së besimtarëve të thjeshtë të perëndishëm, të mprehtë e të besuar si pleq kishe është një shenjë tjetër e një kishe të shëndetshme.


Pyetje për reflektim

  1. Lexoni Mateun 18:15-17. Kë njeh Jezusi si gjykatë përfundimtare të apelit në gjykimin e një vëllai fajtor? Tani lexoni Veprat 6:1-4. Kë ngarkojnë apostujt për të zgjedhur shtatë dhjakët? Lexoni gjithashtu 2Korintasve 2:6. Nga kush u dha ndëshkimi për këtë njeri? Çfarë duket se thonë këto pasazhe rreth faktit se kush është autoriteti përfundimtar në çështjet e kishës?
  2. Lexoni Titin 1:5. Duke e kuptuar se autoriteti përfundimtar në kishë i mbetet bashkësisë sëmbledhur, sipas mendimit tuaj, pse Pali mendon gjithsesi se është urtësi që të kemi pleq kishe në çdo kishë?
  3. Te 1Timoteut 3:1-6, Pali jep një listë të cilësive për një plak. Kaloni ca kohë duke menduar rreth arsyes pse këto tipare të karakterit janë kaq të rëndësishme për udhëheqësin e një kishe. Kush i përmbush këto cilësi në kishën tuaj?
  4. Lexoni Veprat 6:1-4. Cili është ndryshimi mes rolit të dhjakut dhe rolit të dikujt që mbikëqyr çështjet e kishës? A e pranon kisha juaj atë dallim në qeverisjen e saj?
  5. Nga Veprat 6 ne mësojmë se detyra e dhjakëve ishte që të kujdeseshin për nevojat fizike të kishës, duke i liruar kështu mbikëqyrësit e kishës (apostujt, pleqtë e kishës dhe pastorët) për t’iu kushtuar lutjes dhe shërbesës së fjalës. Cilat janë disa nga nevojat e vazhdueshme fizike të kishës suaj, që mund të përmbushen nga një dhjak? Çfarë rolesh të tjera mund të luajnë dhjakët në ruajtjen e unitetit të kishës apo në mbështetjen e pastorëve të Fjalës në kishën tuaj?
Navigation
Volunteer Tools
Other Wikis
Toolbox